NJË YLL I RI NGA VUTHAJT NË SKENAT SHQIPTARE 

Një talente e rrallë po shkëlqen çdo ditë e më shumë në skenat shqiptare. Vogëlushja Eli Ahmetaj, vetëm 8 vjeçe, mahniti publikun me paraqitjen e saj të jashtëzakonshme në manifestimin kulturor “Sofra Dardane”, ku ishte pjesëmarrësja më e re e këtij organizimi madhështor.

Me zërin e saj të ëmbël, energjinë pozitive dhe interpretimin plot emocion, Eli arriti të fitojë zemrat e të gjithë të pranishmëve, duke u shndërruar në një nga momentet më të bukura të mbrëmjes. Shumëkush e cilësoi atë si “xhevahirin” e kësaj feste artistike.

Eli Ahmetaj është nga Vuthajt dhe është vajza e bashkëvendësit tonë, Kelmend dhe Nexhmije Ahmetaj, duke na bërë të gjithëve krenarë me talentin dhe sukseset e saj në muzikë.

Po ashtu, Eli Ahmetaj është përzgjedhur edhe për pjesëmarrje në Festivalin Mbarëkombëtar për Fëmijë në Shkodër, i cili do të mbahet më 30, 31 maj dhe 1 qershor. Ajo do të prezantohet me këngën “Jam si lule”, një ndër këngët e përzgjedhura të këtij festivali prestigjioz për fëmijë.

Sukseset për Elin nuk ndalen këtu. Së shpejti ajo do të udhëtojë drejt Gjilanit, në Kosovë, ku do të marrë pjesë në Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë “Mollëkuqet”, një tjetër hap i rëndësishëm në rrugëtimin e saj artistik.

Me talentin, përkushtimin dhe dashurinë për muzikën, Eli premton një të ardhme të ndritur në skenën shqiptare.

Portali “Plava e Gucia Sot” i uron vogëlushes Eli Ahmetaj shumë suksese, shëndet dhe arritje të mëdha në çdo skenë ku do të performojë.

https://www.facebook.com/share/v/1BMb3nRYUY

PGS/