Shqiptaro-amerikanja Donike Gocaj humb jetën pasi ra në një pus teknik të hapur në Fifth Avenue

Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur në zemër të Manhattanit, ku shqiptaro-amerikanja Donike Gocaj humbi jetën pasi ra në një pus teknik (manhole) të hapur në Midtown Manhattan.

Sipas mediave amerikane, tragjedia ndodhi mbrëmjen e së hënës, rreth orës 11:20 PM, pranë kryqëzimit të Fifth Avenue dhe East 52nd Street, afër dyqanit luksoz Cartier. Viktima, 56-vjeçare nga Briarcliff Manor në Westchester County, kishte ndaluar automjetin e saj Mercedes-Benz SUV dhe sapo kishte dalë nga makina kur pa e kuptuar ra rreth 3 metra poshtë në një pus teknik të pambuluar.  

Dëshmitarët në vendin e ngjarjes thanë se nuk kishte asnjë barrierë, shenjë paralajmëruese apo mbrojtje rreth hapësirës së rrezikshme. Kalimtarët dëgjuan britmat e saj për ndihmë ndërsa ekipet emergjente mbërritën me urgjencë në vendngjarje.  

Donike Gocaj u transportua menjëherë në NewYork-Presbyterian/Weill Cornell Medical Center, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Autoritetet thanë se vdekja po trajtohet si aksidentale dhe deri tani nuk dyshohet për element kriminal.  

Kompania Con Edison, e cila menaxhon infrastrukturën nëntokësore në atë zonë, deklaroi se ka nisur hetime intensive për të zbuluar si mbeti i hapur puseta. Sipas hetimeve paraprake dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, dyshohet se një kamion i rëndë mund ta ketë zhvendosur kapakun vetëm pak minuta para aksidentit fatal.  

Familjarët e përshkruajnë Doniken si një nënë dhe gjyshe të përkushtuar, ndërsa lajmi për vdekjen e saj tragjike ka shkaktuar dhimbje të madhe tek komuniteti shqiptaro-amerikan në New York dhe më gjerë.  

Redaksia e “Plava e Gucia Sot” shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Gocaj, miqve dhe të gjithë të afërmve të së ndjerës.